Regjistrimi fillestar I një biznesi është një nga vendimet më të rëndësishme, që një sipërmarrës duhet të marrë. Është një proces që shoqërohet me informacione për pasojat e regjistrimit, detyrimet e shtuara, përgjegjësitë por edhe mundësi të pafundme për të pasur sukses.
Në mënyrë të thjeshtuar, hapat që duhet të ndjekin bizneset; janë si më poshtë:
1-Hapja e llogarisë së biznesit në portalin qeveritar e-Albania.
Ky është edhe hapi i parë i nevojshëm, për të pasur mundësi aksesi në shërbimet e tjera online.
2- Hapja e llogarisë së tatimeve
Edhe ky proces është i nevojshëm, në pjesën e procedurave tatimore. Nga aty do të administrohen në vazhdim, deklarimet tatimore periodike, shtimi dhe largimi i punonjësve dhe administrimi në përgjithësi i përgjegjësive tuaja si tatim pagues
3- Hapja e llogarisë bankare
Për të pasur mundësinë e kryerjes së pagesave në emër të biznesit dhe arkëtimeve të pritshme ndaj biznesit, duhet patjetër të hapet edhe llogaria/të bankare rrjedhëse në emër të biznesit.
4- Fiskalizimi
Procesi i fiskalizimit është një nga hapat më pozitive dhe vendimet më të rëndësishme, të vitit 2021. Tashmë çdo subjekt në Shqipëri, që pranon dhe lëshon fatura, është i detyruar që të përshtasë sistemin e faturimit të tij. Ky proces është shoqëruar me të panjohura dhe trajtuar shpesh si një pengesë për bizneset, për arsye të mos-kuptimit apo shtimit të kostos. Në të vërtetë, ky është një proces krejt normal, mjaft pozitiv dhe që do të ndodhte patjetër, si pjesë e zhvillimeve teknologjike në këtë fushë.
5- Aplikimi në Regjistrin e Pronarëve Përfitues
Një nga pikat e procedurës fillestare që duhet të ndjekim është aplikimi për regjistrimin fillestar të Pronarëve Përfitues. Çështja është paksa e ndjeshme, por asgjë për t’u shqetësuar, sepse shoqërohet me paraqitjen e dokumentacionit, afatet dhe penalitetet, në rast të tejkalimit të këtyre afateve.